
Studentët e UBT-së në Pejë vizitojnë fabrikën e kafesë: Eksplorim i inovacionit dhe menaxhimit të markës
17/01/2025Studentët e Fakultetit Menaxhment Biznes dhe Ekonomi si dhe Administrim Biznesi të UBT-së në Pejë, në kuadër të lëndëve Menaxhimi i Markës dhe Produktit dhe Hyrje në Marketing, të drejtuar nga Prof. Mirjeta Domniku dhe Prof. Gonxhe Beqiri, realizuan një vizitë studimore në fabrikën e kafesë të Kompanisë Devolli në Pejë.
Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me proceset kryesore të prodhimit dhe menaxhimit, duke përfshirë:
- Procesin e prodhimit dhe paketimit të kafesë, ku u theksua roli i teknologjisë së avancuar dhe automatizimit;
- Aktivitetet e marketingut dhe promovimit, ku u diskutuan strategjitë për prezantimin e produkteve në treg;
- Dizajnin dhe distribuimin e produkteve, me fokus në përshtatjen e tyre për tregje të ndryshme ndërkombëtare.
Studentët vizituan departamentet e prodhimit dhe dizajnit, ku panë nga afër proceset e digjitalizuara dhe inovative. Gjithashtu, u informuan për qasjen strategjike në menaxhimin e markës dhe rëndësinë e përshtatjes së produkteve sipas preferencave të konsumatorëve.
Kjo vizitë u ofroi studentëve një përvojë praktike të vlefshme, duke i ndihmuar ata të kuptojnë më mirë sfidat dhe mundësitë në industrinë e prodhimit dhe marketingut.