
Studentët e UBT-së ndjekin ligjëratën e Prof. Dr. Oliver Jens Schmitt mbi historinë shqiptare
13/03/2025Studentët e UBT-së, posaçërisht ata të Shkencave Politike, patën mundësinë të ndjekin një ligjëratë tematike nga historiani i njohur botëror, Prof. Dr. Oliver Jens Schmitt, rreth temës “Pse merremi me historinë shqiptare?”.
Kjo ligjëratë e organizuar nga Instituti i Ballkanologjisë i UBT-së ofroi mundësinë për studentët që të fitojnë njohuri të thelluara mbi historinë shqiptare dhe të angazhohen në diskutime akademike me një nga historianët më të njohur të Evropës.
Prof. Schmitt, përmes analizave të tij të thelluara dhe qasjes metodologjike të re, ofroi një perspektivë të freskët dhe të pasur mbi zhvillimet historike shqiptare, duke theksuar rëndësinë e studimit të kësaj historie për kuptimin më të thellë të kontekstit ballkanik dhe evropian.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë mbi materialet përgatitore që Prof. Schmitt u kishte dërguar, duke krijuar një mundësi të shkëlqyer për shkëmbim idesh dhe për të reflektuar mbi çështje të rëndësishme historike.
Prof. Dr. Oliver Jens Schmitt është një nga historianët më të shquar të Evropës dhe një ekspert i njohur i historisë shqiptare dhe Ballkanit. Ai ka studiuar Bizantologji, Neogreqisht dhe Histori të Evropës Lindore, dhe ka një karrierë të pasur akademike si pedagog dhe studiues në disa nga universitetet më prestigjioze të Evropës, duke përfshirë Universitetin e Mynihut, Universitetin e Bernës dhe Universitetin e Vjenës.
Me një eksperiencë të gjerë kërkimore dhe si drejtues i Institutit të Historisë së Evropës Lindore, Prof. Schmitt ka kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në fushën e studimeve të historisë shqiptare dhe të Ballkanit, duke ofruar një kuptim të thellë dhe të gjerë të proceseve historike.