Studentët e UBT-së informohen për aplikimet në edicionin e VII të “Albanian ICT Awards”
26/03/2019Në ambientet e UBT-së, në Prishtinë, është mbajtur sot takimi informues për aplikimet në edicionin e VII të garës “Albanian ICT Awards”.
Me këtë rast, studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë, të Fakultetit të Mekatronikës dhe të Fakultetit Sistemet e Informacionit, janë informuar për mënyrën e aplikimit dhe çmimet që do të ndahen në kategori.
Përfaqësuesi i ICT Awards, Ardian Alaj theksoi se pjesë e këtij organizimi mund të bëhen të gjithë të rinjtë pa dallim, konkretisht ata që kanë zhvilluar projekte të ndryshme në fushën e teknologjisë gjatë vitit 2018, ose në tre mujorin e parë të vitit 2019.
Ai tha se çmimet që këtë vit do të ndahen janë: Inovacioni i vitit, Mobiliteti i vitit, Diploma e vitit, Ylli në ngritje i vitit, Gruaja në ICT, Shërbimi Publik më i mirë i vitit dhe Siguri Kibernetike.
“Përveç çmimeve në kategori, kandidatët kanë mundësi për të përfituar financiarisht, bursa të plota, promovim i projekteve, trajnime profesionale, punë praktike, mjete teknologjike etj.”, tregoi ai.
Tutje, Alaj falënderoi UBT-në për mbështetjen e dhënë tash e disa vite, ndërkaq bëri të ditur se institucioni edhe këtë vit për fituesit do të ofrojë bursa të plota studimi në nivelin bachelor dhe master.
“Albanian ICT Awards” ka për fokus identifikimin e kandidatëve të suksesshëm në fushën e teknologjisë së informacionit, ku çdo vit dhjetëra studentë të UBT-së marrin pjesë dhe dalin fitues në disa kategori.
Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë deri të shtunën, më 30 mars 2019, ndërkaq kushti është që ata të jenë me kombësi shqiptare.
Linku për aplikim: https://ictawards.org/2018/cmimet/