Studentët e UBT-së hapën ekspozitë me punime të konceptit Smat City, në Vushtrri

25/02/2020

Punime të shumta të studentëve të Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, janë prezantuar në hapjen e ekspozitës në kalanë e qytetit, në Vushtrri.

 

Punimet e studentëve janë realizuar në nivelin master në kuadër të lëndës Advanced Urban Planning, ligjëruar nga profesori Skender Kosumi, i cili njëherësh ka mentoruar planet e hartuara dhe ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm që këto projekte në të ardhmen të gjejnë zbatim në këtë komunë.

 

Punimet i dedikohen konkretisht qytetit të Vushtrrisë, ku në mënyrë profesionale është projektuar urbanizimi i kësaj komune, projekte që janë hartuar duke përfshirë gjithnjë konceptin Smart City.

 

Trashëgimia kulturore, turizmi, hapësirat publike, bujqësia, mobiliteti urban janë vetëm disa nga temat që janë trajtuar në punime, për të cilat studentët kanë dhënë ide inovative në funksion të shndërrimit të Vushtrrisë në një qytet të qëndrueshëm e të mençur.

 

Në hapjen e ekspozitës morën pjesë rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, drejtori i Qendrës për Studime Urbane në UBT, Shqiprim Ahmeti, zyrtarë komunal, përfshirë drejtorin e Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit në Vushtrri, Berat Sadiku, profesorë dhe studentë.

 

Ata theksuan se UBT ka studentë dhe staf mjaft të përgatitur saqë bashkërisht ideojnë punime kualitative urbane-arkitektonike, që mund të implementohen edhe në praktikë.

 

Ekspozitën patën mundësi ta shohin të gjithë të interesuar, ku edhe janë informuar rreth realizimit të punimeve, ndërkaq ekspozita do të jetë e hapur përgjatë 30 ditëve.