
Studentët e UBT-së do të realizojnë praktikën në Coca-Cola HBC Kosova
19/03/2025Në një hap të rëndësishëm drejt avancimit të arsimit profesional dhe zhvillimit të karrierës së studentëve, UBT dhe Coca-Cola HBC Kosova kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit (MoU).
Ky memorandum, ka për qëllim ofrimin e mundësive të praktikës profesionale për studentët e UBT-së në ambientet e Coca-Cola HBC Kosova. Praktikat do të zgjasin nga 3 deri në 6 muaj dhe studentët do të zgjidhen në bazë të performancës akademike dhe aftësive të nevojshme për punë.
Studentët do të përfitojnë nga mbikëqyrja dhe mentorimi i profesionistëve të Coca-Cola HBC, ndërsa pas përfundimit të suksesshëm të praktikës, mund të konsiderohen edhe për punësim të mëtejshëm në këtë kompani prestigjioze.
Memorandumi është nënshkruar nga Prof. Dr. Edmond Hajrizi, rektor i UBT-së, dhe z. Petar Boskoski, menaxher i përgjithshëm i Coca-Cola HBC Kosovo. Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë edhe znj. Venera Kamberaj, People and Culture Manager nga Coca-Cola HBC Kosovo dhe Dr. Besnik Skenderi, Drejtor për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT.
Ky bashkëpunim është një konfirmim tjetër i angazhimit të dy institucioneve për zhvillimin e vazhdueshëm të kapitalit njerëzor në Kosovë.