Studentët e UBT dhe TH Lubeck prezantojnë projektet për integrimin e lumenjve të Prishtinës

15/01/2025

Në kuadër të bashkëpunimit mes UBT-së dhe Universitetit TH Lubeck nga Gjermania, është mbajtur prezantimi final i modulit të përbashkët “Revival of the River”.

Ky modul synon integrimin e lumenjve të Prishtinës në hapësirat publike, dhe ka përfshirë një prezantim online të punimeve të studentëve të të dyja institucioneve.

Në këtë modul, nga UBT kanë marrë pjesë 5 profesorë bashkë me studentët: Arbër Azemi, Laura Hakaj, Donart Zairi, Arneida Muçiqi, Qëndresa Hoxha, Nita Arifi, Arnisa Hyseni dhe Bardha Ukzeka, ndërsa nga TH Lubeck janë angazhuar 4 profesorë dhe 22 studentë. Pjesëmarrësit kanë paraqitur propozime inovative për revitalizimin dhe integrimin e lumenjve të kryeqytetit në jetën urbane, me qëllim krijimin e hapësirave të përdorshme dhe të qëndrueshme për qytetarët.

Punimet e këtij moduli do të prezantohen në një ekspozitë të organizuar në ditët në vijim, e cila do të paraqesë idetë dhe projektet e studentëve për Komunën e Prishtinës, si një mundësi për të kontribuar në zhvillimin urban të qytetit.

Ky është edicioni i dytë i këtij moduli të përbashkët, pas organizimit të tij në vitet 2023 dhe 2024. Ndërkohë, në vitin 2025, moduli do të zgjerohet, duke përfshirë UBT-në, TH Lubeck dhe Universitetin Politeknik të Tiranës, për të sjellë një perspektivë më të gjerë dhe një bashkëpunim ndërkombëtar më të thellë në fushën e studimeve urbane dhe inxhinierisë.