Studentët e UBT analizuan vendndodhjen optimale për Qendrat e Mjekësisë Familjare përmes Sistemit të Informacionit Gjeografik

06/03/2025

Studentët e nivelit Master në Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT, në kuadër të lëndës “Metodat e Avancuara të Projektimit – GIS”, të udhëhequr nga profesori Edon Maliqi, janë angazhuar në një projekt të rëndësishëm akademik, ku kanë realizuar një analizë hapësinore për të identifikuar vendet optimale për ndërtimin e Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në qytetet e tyre.

Ky projekt ka përdorur metodologjinë e Sistemit të Informacionit Gjeografik (SIGj), duke integruar kritere të shumta për të siguruar një shpërndarje të balancuar dhe efikase të shërbimeve shëndetësore.

Në kuadër të këtij hulumtimi, studentët kanë aplikuar analiza hapësinore me shumë kritere, duke marrë parasysh faktorë topografikë, mjedisorë dhe socio-ekonomikë. Duke shfrytëzuar të dhëna gjeohapësinore si modeli digjital i lartësive, rrjetet e transportit dhe mbulesa e tokës, ata kanë krijuar harta tematike për të vizualizuar zonat më të përshtatshme për ndërtimin e QKMF-ve.

Ky projekt synon të forcojë aftësitë praktike të studentëve në përdorimin e softuerëve të SIGj (si QGIS), si dhe të kontribuojë në planifikimin urban të qëndrueshëm, duke ndihmuar në përmirësimin e aksesit të qytetarëve në shërbime shëndetësore cilësore.