Studentët e Shkencave Politike vizituan organizatën Demokraci Plus
22/11/2018Studentët e vitit të parë në Fakultetin e Shkencave Politike në UBT, kanë realizuar vizitë studimore në organizatën Demokraci Plus (D+).
Vizita u realizua në kuadër të lëndës “Qeverisja dhe Institucionet Politike”, nën shoqërimin e profesorit, Alfred Marleku.
Studentët u pritën nga drejtori ekzekutiv i organizatës, Valmir Ismaili, i cili është edhe njëri nga themeluesit e kësaj organizate.
Me këtë rast, ata patën mundësi unike që të dëgjojnë një ligjëratë, pjesa e parë e të cilës u fokusua në përvojën personale të tij lidhur me zhvillimin dhe të arriturat profesionale, me theks në sfidat e hasura në themelimin dhe zhvillimin e organizatës. Ndërkaq, në pjesën e dytë u trajtua profili i organizatës dhe projektet të cilat aktualisht zbatohen në kuadër të aktiviteteve të përditshme, duke i shtjelluar në detaje mekanizmat e funksionimit të institucionit.
Studentët u njoftuan edhe për mundësitë për praktikë profesionale dhe shkathtësitë që duhet të posedojnë praktikantët për të punuar në D+ dhe institucione tjera të ngjashme.
Demokracia Plus angazhohet për zhvillimin e një shoqërie demokratike, përmes ndikimit në vendimmarrje dhe rritjes së pjesëmarrjes qytetare në hartimin dhe zbatimin e politikave publike.