Studentët e Psikologjisë të UBT-së vizitojnë Shtëpinë e të Moshuarve për festat e fundvitit
24/12/2024Pas një takimi të veçantë në shtëpinë e të moshuarve për festat e fundvitit, studentet e Programit të Psikologjisë në UBT, Kosovare Hamiti dhe Shqipe Shala, bashkë me studentët e tjerë të psikologjisë, ndanë emocionet dhe reflektimet e kësaj përvoje që sipas tyre është e paharrueshme.
Vizita kishte për qëllim të krijonte një atmosferë festive dhe t’i bënte të moshuarit të ndiheshin të përfshirë dhe të dashur. Gjatë këtij takimi, studentët kaluan kohë me të moshuarit, dëgjuan historitë e tyre dhe ndanë momente gëzimi. Përveç kësaj, ata krijuan një ambient të ngrohtë dhe mbështetës, duke u mundësuar të moshuarve të shijonin atmosferën e festave dhe të ndiheshin të rëndësishëm dhe të vlerësuar.
Kosovare Hamiti dhe Shqipe Shala theksuan se kjo përvojë ishte një kujtesë e fuqishme për studentët e psikologjisë dhe për të gjithë si individë për rëndësinë e ndjeshmërisë, empatisë dhe lidhjeve njerëzore. Kjo vizitë u shndërrua në një akt të vogël dashurie dhe humanizmi, një mundësi për të sjellë lumturi dhe për të ndihmuar të tjerët të ndihen të lidhur me shoqërinë.
Siç thonë studentët, “Lumturia nuk qëndron në marrjen, por në dhënien. Në këto akte të vogla zemërgjërësie, ne gjejmë thelbin e humanizmit”. Ky aktivitet i dhuroi të gjithë pjesëmarrësve një mësim të vlefshëm për rëndësinë e dhënies dhe mbështetjes në jetën e përditshme.