Studentët e programit Muzikë Moderne në UBT marrin pjesë në festivalin ndërkombëtar “ClarinetFest” në Shkup

08/04/2025

Klasa e klarinetës e Fakultetit të Muzikës Moderne, Prodhimit Digjital dhe Menaxhimit në UBT, ka marrë pjesë në edicionin e 7-të të festivalit ndërkombëtar ClarinetFest, që u mbajt në Shkup. Ky aktivitet i rëndësishëm artistik mblodhi klarinetistë të njohur nga e gjithë bota, duke ofruar një platformë të jashtëzakonshme për bashkëpunim, performancë dhe shkëmbim përvojash profesionale.

Studentët, nën udhëheqjen e profesorit Blerim Emërllahu, patën mundësinë të jenë pjesë aktive e këtij festivali të njohur, duke ndarë skenën me emra të mëdhenj të klarinetës botërore si Nicolai Pfeffer dhe Gábor Varga, të cilët janë të njohur për virtuozitetin dhe kontributin e tyre në muzikën klasike ndërkombëtare.

Për UBT-në, pjesëmarrja në ngjarje të tilla përfaqëson një vlerë të shtuar për zhvillimin profesional dhe artistik të studentëve, duke i ekspozuar ata në skena ndërkombëtare dhe në rrjete kreative që nxisin rritjen individuale dhe kolektive.

UBT vazhdon të mbështesë fuqishëm talentin dhe edukimin artistik, duke dëshmuar se muzika është një gjuhë universale që bashkon kultura dhe njerëz nga e gjithë bota.