Studentët e nivelit Master në Fakultetin Inxhinieri e Ndërtimit (Ndërtimtari) dhe Infrastrukturë në UBT zhvilluan një vizitë studimore në terren
27/05/2024Studentët e nivelit Master në specializimin Inxhinieri e Infrastrukturës, Fakulteti Inxhinieri e Ndërtimit (Ndërtimtari) dhe Infrastrukturë në UBT, në kuadër të lëndës “Tunelet”, të udhëhequr nga profesori Hazir Cadraku, kanë zhvilluar një vizitë studimore në terren, në disa lokacione të cilat janë brenda territorit administrativ të komunave: Fushë Kosovë, Obiliq dhe Drenas.
Kjo vizitë studimore u ofroi mundësinë studentëve që në mënyrë konkrete të shohin, prekin dhe njohin elementet, komponentët, dukuritë dhe proceset, që lidhen me lëndën “Tunelet”, për të krijuar një tablo të plotë të cilën studentët mund ta ndërlidhin me pjesën teorike dhe aspektet praktike për avancimin e tyre profesional.
Lëvizja u krye nëpër rrugën Magjistrale Prishtinë – Pejë, pastaj në rajonalen Fushë Kosovë – Pomuzetin – Bardh i Madh – Shipitull – Graboc i Epërm – Dobroshec – Drenas – Prishtinë.
Ndalesa e parë u bë te stacioni i Trenit në Fushë Kosovë, pastaj në Pomuzetin kryqëzimi hekurudhë rrugë rajonale Sllatinë – Drenas.
Në këto dy pozicione studentët u njoftuan me zhvillimet e reja në linjën hekurudhore Hani Elezit – Leshak (për llojet e shkëmbinjve si material për trupin e hekurudhës etj.), në udhëkryqin në Pomuzetin u njoftuan lidhur me sinjalistikën dhe sistemin e monitorimit.
Ndalesa tjetër u bë në fshatin Shipitull, te kanali i sistemit Ibër Lepenc. Aty u pa portali i tunelit hidroteknik dhe kanali i hapur për transportin e ujit për në territorin e Komunës së Drenasit (Gllogocit). Nga aty u vazhdua për në Graboc të Epërm dhe aty studentët patën rastin të marrin shpjegime për llojet e ndryshme shkëmbore (sedimentare, metamorfike e magmatike) të cilat takohen në një gjurmë tuneli.
Gjithashtu, aty u vizitua dhe u dhanë shpjegime lidhur me rrudhosjen (rrudhën) dhe elementet e saj, duke ndërlidhur atë me hapjen e tunelit kur gjurma e tunelit kalon nëpër to. Ecja (lëvizja) studimore vazhdoi me shpjegime dhe sqarime lidhur me infrastrukturën rrugore, hekurudhore dhe pellgun e lumit Drenicë dhe rrjedhave (degëve) të tij, si funksione gjatë dimenzionimit të objekteve për bartjen e ujërave sipërfaqësor që vinë në drejtim të rrugës dhe hekurudhës.
Po ashtu, studentët morën shpjegime lidhur me tektoniken dhe thyerjet (shkarjet) tektonike në segmentin Graboc i Ulët deri në Drenas, pastaj për çarjet në shkëmbinj si funksion i vlerësimit gjatë ndërtimit të infrastrukturës rrugore, hekurudhore, tuneleve, etj. Në shpatin veriperëndimor të kodrës së Godancit dhe Dobroshecit studentët morën shpjegime për shkëmbinjtë ultrabazik, pellgun natyror, galeritë e hapura për hulumtimin e magnazitit (Dobroshec). Në fshatin Çikatovë e Vjetër arritën të shohin dhe të njoftohen me portalin – tunelin e hekurudhës Fushë Kosovë – Drenas.
Përmes kësaj vizite studimore është arritur që studentët të njihen praktikisht me pjesën më të madhe të elementeve, komponentëve, proceseve dhe dukurive që lidhen me pjesën teorike të dëgjuar në ligjërata dhe konsiderojmë se tani ata kanë krijuar një tabllo më të qartë dhe më të plotë në lidhje me konceptet dhe lidhjen e tyre midis asaj që bëhet teorikisht dhe asaj që shihet e preket praktikisht përmes vizitave studimore e hulumtuese në terren.
Po ashtu, konsiderojmë se studentet tani e tutje arrijnë që të bëjnë në mënyrë praktike dhe të pavarur përzgjedhjen e variantit më të favorshëm të gjurmës së rrugës, hekurudhës dhe tunelit.