Studentët e Ndërtimtarisë vizituan Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor
23/01/2019Studentët e vitit të dytë të nivelit master në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT, kanë vizituar Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në kuadër të lëndës Rregullativat Ndërtimore dhe Vlerësimi Mjedisor.
Qëllimi i kësaj vizite ishte që studentët të njoftohen lidhur me aktivitetet që zhvillohen në këtë departament. Studentët janë pritur nga drejtori i departamentit të mjedisit të kësaj ministrie, Muhamet Musliu dhe profesori Ramë Hamzaj.
Drejtori Musliu u tha studentëve se në bazë të legjislacionit për objektet ndërtimore kërkohet vlerësim strategjik mjedisor, kurse për objektet tjera vlerësim i ndikimit në mjedis. Po ashtu, ai tha që në këtë ministri vlerësimi mjedisor fillon nga projekti ideor dhe vazhdon deri tek fillimi i shfrytëzimit të objekteve ndërtimore.
Sipas tij, ky departament kryen punë administrative dhe profesionale dhe merret me lëshimin e lejeve, certifikatave dhe vërtetimeve në kërkesat e personave fizik dhe juridik, bazuar në legjislacionin për mbrojtjen e natyrës.