Studentët e MBE-së në UBT me ligjëratë tematike për strategjitë praktike të “NeuroMarketingut”
30/01/2025Në kuadër të Modulit “Sjellja Konsumatore e Avancuar” të Prof. Rajan Arapi, studentët e nivelit master në programin Marketing dhe Shitje në UBT patën mundësinë të marrin pjesë në një ligjeratë tematike mbi temën “Psikologjia e Konsumatorit – NeuroMarketingu”.
Në këtë ligjëratë, si guest speaker mori pjesë Fisnik Behxheti, ndërmarrës dhe themelues i disa prej bizneseve më të suksesshme në Kosovë. Ai ndau me studentët njohuri të thelluara mbi rëndësinë e analizës së sjelljes konsumatore dhe ndikimin e proceseve neuroshkencore në vendimmarrjen e konsumatorëve.
Behxheti theksoi se kuptimi i mekanizmave psikologjik dhe neuroshkencorë që ndodhin pas çdo vendimi të konsumatorit është kyç për zhvillimin e fushatave të marketingut efektive dhe për krijimin e lidhjeve të qëndrueshme me konsumatorët.
Ky sesion i veçantë, që ndërthuri teorinë dhe praktikën, ofroi një mundësi të shkëlqyer për studentët për të mësuar dhe përvetësuar teknikat e avancuara të NeuroMarketingut, të cilat janë gjithnjë e më të rëndësishme në një treg konkurrues. Studentët morën perspektiva të reja mbi faktorët psikologjikë që formësojnë sjelljen e konsumatorëve dhe mësuan se si këto njohuri mund të përdoren për të optimizuar strategjitë e marketingut dhe rritur suksesin në biznes.
Pjesëmarrësit në këtë ligjeratë të veçantë, studentët e Fakultetit të Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë, përfituan njohuri praktike të vlefshme nga eksperienca e jashtëzakonshme e folësit dhe mund të aplikojnë këto njohuri në projektet e tyre të ardhshme profesionale.