Studentët e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës, specializimi Inxhinieria e Ujërave realizuan vizitë studimore

04/03/2022

Në kuadër të lëndëve Hidrogjeologjia dhe Menaxhimi i Burimeve Ujore, Fakulteti Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT, ka realizuar një vizitë studimore, me grupin e studentëve të nivelit master në specializimin Inxhinieri e Ujërave, në lokalitetet e komunës së Fushë Kosovës, Obiliqit, Drenasit dhe Lipjanit.

 

Fillimisht studentët vizituan burimet e ujit në fshatin Shipitullë të komunës së Obiliqit, nga ku u njohën me llojin e burimit, kushtet e formimit, zonën e ushqimit, si dhe me matjen e prurjeve të ujit, për ta vazhduar më pas vizitën në portalin e tunelit në kanalin e sistemit Ibër-Lepenc, nga ku studentët morën shpjegime nga profesori Hazir Çadraku, lidhur me aspektet historike të këtij sistemi.

 

Studentët e programit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT, vizituan grykën e lumit Drenicë (Guri i Plakës), nga ku në detaje u njohën me pellgun ujor dhe konceptin e menaxhimit të integruar të burimeve ujore, teksa vizituan edhe burimet e ujit në fshatin Baicë, burim ky i llojit karstik që studentëve iu mundësojë që praktikisht të shohin edhe një burim tjetër që lidhet me shkëmbinj karbonatik.

 

Përmes kësaj vizite studimore, studentët e Fakultetit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT, arritën që të njohin praktikisht pjesën më të madhe të elementeve, komponenteve, proceseve dhe dukurive që ndërlidhen me pjesën teorike të shtjelluar nga profesorët në ligjërata.