Studentët e Fakultetit të Psikologjisë vizitojnë SH.F. M. U. “Qamil Batalli” në Prishtinë

31/05/2024

Studentët e vitit të dytë të Fakultetit të Psikologjisë, së bashku me profesoreshën Diana Sejdiu Shala, kanë zhvilluar një vizitë studimore në kuadër të lëndës Psikologji e Edukimit. Vizita u realizua në SH.F. M. U. “Qamil Batalli” në Prishtinë në bashkëpunim me drejtorin e shkollës, Liridon Maliqi dhe psikologen Kosovare Haziri.

Qëllimi i kësaj vizite ishte që studentët të njoftohen nga afër me punën e psikologut shkollor dhe detyrat që ai duhet të përmbushë. Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të ndjekin një ligjëratë mbi grupin e ndërmjetësimit që funksionon në këtë shkollë. Ky grup ka për qëllim rrjetëzimin e ndërmjetësuesve brenda shkollës, duke trajnuar për të përmirësuar kulturën dhe cilësinë në shkollë dhe synon zgjidhjen e konflikteve pa shkaktuar probleme të mëdha.

Gjatë ligjëratës, u diskutuan hapat e ndërmjetësimit, të cilët përfshijnë: prezantimi dhe mbajtja e sesionit, dëgjimi i tregimeve, nxjerrja e vlerave, kuptimit dhe nevojave, gjetja dhe testimi i mundësive së bashku, arritja e marrëveshjes.

Në këtë takim u tha se ndërmjetësimi luan një rol vendimtar në nxitjen e një mjedisi mësimor mbështetës dhe paqësor duke zgjidhur konfliktet në mënyrë miqësore midis nxënësve. Ai ndihmon në zhvillimin e aftësive kritike të jetës si komunikimi, ndjeshmëria dhe zgjidhja e problemeve, të cilat janë thelbësore për suksesin personal dhe akademik.

Kjo vizitë ofroi një përvojë të rëndësishme praktike për studentët, duke i pajisur ata me njohuri dhe aftësi që do të jenë të dobishme në karrierën e tyre të ardhshme si psikologë.