Studentët e Fakultetit të Psikologjisë ndjekin punëtorinë nga Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime

16/05/2024

Fakulteti i Psikologjisë në UBT në bashkëpunim me Qendrën për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime (SIT) kanë organizuar një punëtori të rëndësishme. Aktiviteti, i cili u mbajt për studentët e degës së Psikologjisë, kishte si temë këshillimin dhe rëndësinë e strukturimit të seancave të këshillimit me ushtruesit e dhunës.

Gjatë punëtorisë, u theksua rëndësia e këshillimit në procesin e rehabilitimit dhe ri-integrimit të ushtruesve të dhunës. Trajnerët dhe profesionistët nga SIT ndanë njohuri dhe përvoja mbi mënyrat efektive të trajtimit të problemeve të dhunës, me synimin për të minimizuar rastet e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. U diskutua sesi trajtimi i problemit që nga thelbi është një hap thelbësor për parandalimin e këtyre fenomeneve negative në shoqëri.

Studentët e Psikologjisë të pranishëm në këtë punëtori patën mundësinë të përfitojnë nga njohuritë dhe përvojat e ndara, duke zhvilluar aftësitë e tyre profesionale dhe duke u përgatitur më mirë për të kontribuar në zgjidhjen e problemeve të dhunës në shoqëri.