Studentët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT kanë realizuar një vizitë studimore në Administratën Tatimore të Kosovës

22/12/2022

Në kuadër të lëndës “Kontabiliteti Tatimor dhe Tatimet Biznesore”, studentët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, drejtimi Kontabilitet Auditim dhe Tatime, kanë realizuar një vizitë studimore në Administratën Tatimore të Kosovës, institucion ky i rëndësishëm për grumbullimin e të hyrave për buxhetin e Republikës së Kosovës.

Në këtë vizitë, studentët u njohën për së afërmi me departamentet përgjegjëse për shërbime të tatimpaguesve, me theks të veçantë për mënyrën elektronike të deklarimit, për procedurat e kontrollit, kontrollin tatimor, mbledhjen e detyrueshme, deklaratat tatimore, obligimet për dorëzimin e pasqyrave financiare, si dhe për luftimin e ekonomisë jo-formale.

Studentët përcollën me vëmendje prezantimet nga dy drejtorët përgjegjës të departamenteve përkatëse, dhe ishin të interesuar për punën e institucionit, duke shtruar pyetje të shumta mbi organizmin, udhëheqjen, sistemin e teknologjisë informative, përdorimin e arkave fiskale, numrin e bizneseve, kontrollet tatimore, lirimet tatimore, marrëveshjet e lira, si dhe për evazionin fiskal.