Studentët e Fakultetit Juridik të UBT realizojnë me sukses aktivitetin praktik në kuadër të lëndës “Klinika Ligjore”

10/01/2025

Në kuadër të lëndës “Klinika Ligjore”, studentët e Fakultetit Juridik në UBT në Prishtinë, nën udhëheqjen profesionale të Prof.Ass.Dr. Merita Muharremi, realizuan me sukses një aktivitet praktik të rëndësishëm: mbajtjen e një gjykimi të simuluar.

Ky aktivitet kishte për qëllim të krijonte një përvojë unike për studentët, duke u mundësuar atyre të zbatojnë njohuritë teorike dhe praktike të përfituara gjatë ligjëratave në lidhje me procedurat civile. Në këtë rast, studentët trajtuan një kontest prone, duke punuar në grupe dhe duke luajtur rolet e gjyqtarëve, avokatëve dhe palëve të tjera të përfshira në një proces gjyqësor.

Puna e tyre u shqua për profesionalizëm dhe përkushtim, duke pasqyruar seriozitetin dhe përgatitjen për karrierën e tyre të ardhshme në fushën e drejtësisë. Aktiviteti i gjykimit të simuluar jo vetëm që u ofroi studentëve një mundësi të vyer për të thelluar njohuritë e tyre juridike, por gjithashtu i ndihmoi ata të zhvillojnë aftësi të rëndësishme praktike si komunikimi, argumentimi ligjor dhe analiza kritike.

Kjo iniciativë dëshmon përkushtimin e Fakultetit Juridik të UBT-së për të integruar metoda inovative të mësimdhënies, duke krijuar ura të fuqishme midis teorisë dhe praktikës. Nëpërmjet aktiviteteve të tilla, studentët përgatiten për sfidat dhe përgjegjësitë që i presin në profesionin e tyre, duke u pajisur me kompetencat e nevojshme për të qenë liderë të suksesshëm në sistemin e drejtësisë. UBT vazhdon të mbetet një nga institucionet kryesore në Kosovë që promovon arsimimin cilësor dhe përgatitjen praktike të studentëve për tregun e punës.