Studentët e Fakultetit Juridik përfunduan gjykimin simulues me vlerësim të lartë

14/02/2019

Studentët e Fakultetit Juridik në UBT, pas teorisë së mësuar përgjatë një semestri, kanë mbajtur një gjykim të simuluar, në mënyrë që të bashkërendoheshin mësimet teorike me ato praktike.

Gjatë kësaj periudhe, profesori i lëndës “Klinikë ligjore”, Florim Shefqeti punoi me studentët në mënyrë që ata të jenë sa më të përgatitur për këtë simulim.

 

Gjatë performancës së gjykimit, ata simuluan një rast krimi, ku studentët do të paraqiteshin në rolet e trupit gjykues, prokurorëve dhe avokatëve.

 

Të pranishëm në këtë organizim ishin edhe shumë profesorë të këtij drejtimi, të cilët përcollën ngjarjen nga afër dhe vlerësuan punën e studentëve të tyre.

 

Prof. dr Jorida Xhafaj, dekane e Fakultetit Juridik,  i përgëzoi studentët dhe i këshilloi ata të mos ndalin punën dhe hapat drejt suksesit.

“I përgëzoj studentët për këtë angazhim dhe korrektësi, vetëm me punë dhe përkushtim arrihen rezultatet dhe suksesi. Studentët janë ardhmja e këtij vendi, andaj uroj që puna që po bëhet të vlerësohet”, tha Xhafaj.

 

Profesori i lëndës “Klinikë Ligjore”, Florim Shefqeti u nda shumë i kënaqur me punën e studentëve, teksa potencoi se studentët tani janë të përgatitur të ushtrojnë profesionin për të cilin po studiojnë.

“Tërë ajo çfarë studentët paraqitën sot është puna e bërë gjatë një semestri, e tëra është produkt i tyre. Unë ndjehem jashtëzakonisht mirë që shoh një punë të suksesshme, dhe para së gjithash, vullnet tek studentët për atë çfarë po studiojnë”, theksoi ai.

 

Studentët e Fakultetit Juridik edhe më herët kanë realizuar seanca të tilla simulimi, me ç’rast ofruan zgjidhje e ndanë drejtësi për konteste të ndryshme gjyqësore.