Studentët e Fakultetit Inxhinieri Ndërtimore dhe Infrastrukturë në UBT zhvilluan një vizitë studimore në stacionin hekurudhor të Fushë Kosovës

14/12/2022

Studentët e Fakultetit Inxhinieri Ndërtimore dhe Infrastrukturë në UBT, të shoqëruar me profesorët Visar Baxhuku dhe Nol Dedaj, zhvilluan një vizitë studimore në stacionin hekurudhor në Fushë Kosovë, me qëllim të njohjes nga afër dhe në mënyrë praktike me infrastrukturën e transportit hekurudhor, objektet dhe pajisjet tjera përcjellëse.

Në këtë vizitë studentët patën rastin të shohin dhe të njihen nga afër me organizimin dhe funksionin e stacionit hekurudhor në Fushë Kosovë, me ndërlidhjen me transportin intermodal, muzeun e hekurudhës, dhomën qendrore të kontrollit të lëvizjes së trenave, pajisjet e sinjalizimit dhe komunikimit, trasenë e hekurudhës, si dhe binarët dhe lidhjet e tyre.

Ndër të tjera, studentët avancuan njohuritë e tyre rreth pajisjeve të komunikimit në mes stacioneve për rregullimin e lëvizjes së trenave, rreth pajisjeve regjistruese zanore dhe të shkruara, si dhe rreth pajisjeve sinjalizuese dhe komunikuese aktuale dhe ato të përdorura që nga themelimi i stacionit hekurudhor.