Studentët e Fakultetit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT, vizituan Qendrën Tregtare “Prishtina Mall”

06/06/2022

Në kuadër të lëndëve “Praktika e Punës” dhe “Konstruksionet e Çelikut”, studentët e vitit të tretë në Fakultetin Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT, nën udhëheqjen e profesorëve: prof. dr. Muhamet Ahmeti, prof.dr. Visar Krelani, Gent Hasimija, si dhe asistentit Arbër Muçaj, është realizuar një vizitë studimore në objektin e Qendrës Tregtare “Prishtina Mall”.

 

Studentët u njoftuan nga përfaqësuesit e kompanive që janë të kyçura në realizimin e këtij projekti lidhur me të gjitha proceset e ndërtimit, problemet dhe sfidat që kanë pasur gjatë realizimit të këtyre objekteve, teksa panë nga afër edhe pozicionet e ndryshme që janë realizuar nga materialet e ndryshme, me theks të veçantë konstruksionet e çelikut dhe drurit që zënë shumë vend në zbatim në këtë projekt.

 

Ndër të tjera, studentët u njoftuan edhe me masat e sigurisë dhe masat e tjera që kompanitë kanë ndërmarrë për mbrojtjen dhe sigurinë në punë, si dhe iu dhanë sqarime lidhur me llogaritjen statike të këtyre objekteve.

 

Studentët patën rastin të informohen edhe mbi rëndësinë e organizimit të punishtes, siç është “Prishtina Mall”, ku numri i kompanive dhe i punëtorëve të angazhuar është i madh, nga ky aspekt përfaqësuesit e këtyre kompanive i njoftuan studentët me shembuj praktik se si duhet të veprohet dhe punohet.

 

Kjo vizitë e realizuar në kuadër të lëndëve praktike në Fakultetin Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT, ka për qëllim që studentët të përfitojnë njohuri të reja rreth profesionit të tyre, si dhe ruajtjen dhe nxitjen e bashkëpunimit me kompanitë vendore dhe me ato të cilat janë të kyçura në realizimin e projektit “Prishtina Mall”, një nga objektet më të mëdha në Ballkan.