
Studentët e Fakultetit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë në UBT, vizituan fabrikën për prodhimin e çimentos “Sharr cem”
15/05/2024Studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturës në UBT kanë vizituar fabrikën për prodhimin e çimentos “Sharr Cem”, të shoqëruar nga profesorët Prof. Dr. Muhamet Ahmeti dhe Ibush Luzha. Kjo vizitë është realizuar falë bashkëpunimit mes Fakultetit të Ndërtimit dhe fabrikës, e cila është e vetmja në Kosovë që merret me prodhimin e çimentos dhe mbulon rreth 50% të kërkesës së tregut për këtë produkt.
Gjatë vizitës, studentët u pritën nga përfaqësuesit e kompanisë “Sharr Cem”. Në fillim, ata ndoqën një trajnim lidhur me mbrojtjen dhe sigurinë në punë, si dhe një sqarim për masat e mbrojtjes së mjedisit që fabrika ka ndërmarrë në funksionimin e saj. Çimentoja është një ndër produktet kryesore që përdoret në ndërtim, dhe njohuritë lidhur me këtë material ndërtimor janë shumë të rëndësishme për studentët e vitit të parë.
Më pas, përfaqësuesit e kompanisë i informuan studentët për procedurat e prodhimit dhe kontrollimit të çimentos, duke përfshirë teknologjitë më të reja për verifikimin dhe ruajtjen e mostrave të analizuar të klinkerit të çimentos. Studentët vizituan të gjitha laboratorët që merren me shqyrtimin e materialit, që nga lënda e parë deri te produkti final i çimentos. Përfaqësuesit e kompanisë demonstruan metodat e përdorura në laboratorë për analizën e kualitetit të çimentos.
Interesimi i studentëve ishte shumë i madh, dhe ata parashtruan shumë pyetje përfaqësuesve të fabrikës, të cilët ofruan përgjigje të detajuara gjatë gjithë kohës së vizitës.