Studentët e Arkitekturës në UBT, qasen lehtësisht në tregun e punës

07/12/2020

Ish-studentja e Fakultetit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor, Drilona Berisha, është bërë pjesë e stafit të UBT-së, në cilësinë e asistentes në departamentin e Arkitekturës dhe të Dizajnit të Integruar.

 

Dëshira dhe ëndrra e saj për të arritur në jetë dhe për të korrur suksese ka bërë që ajo të bëhet pjesë e UBT-së, dhe të marr titullin arkitekte. Kontributi i saj për komunitetin, angazhimet e shumta në fushën e arkitekturës, si dhe përvoja e fituar si e punësuar në dy studio projektuese, kanë bërë që ajo të bëhet pjesë e institucionit më të madh të arsimit në rajon, UBT-së.

 

Drilona ishte përfituese edhe e bursës së mobilitetit në Anhalt University of Applied Sciences në Dessau të Gjermanisë, partneritet ky me UBT-në. Ajo studimet e saja i kishte shtrirë në fushën e “Design Research”, fushë në të cilën kishtë përfituar njohuri të reja në fushën e hulumtimit në aspektin e dizajnit.

 

Drilona, ka vlerësuar lartë cilësinë e studimeve në UBT, profesionalizmin e ligjëruesve, si dhe punën e madhe që bëhet në këtë institucion arsimor.

 

“Përveç cilësisë së lartë në studime, ligjëruesve me shkollim të lartë akademik dhe eksperienca shumë profesionale, partneriteteve të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare, UBT-në e bëjnë të veçantë dhe lider në treg eksperienca dhe storie të shumta suksesi të studentëve të dalluar, të cilët lindën dhe u rritën brenda mureve të dijes që përbëjnë supet e forta të një institucioni tempull gjithmonë në rritje”, ka thënë ajo.

 

Fakulteti Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor, në UBT, u ka dhënë studentëve hapësirën e nevojshme, me të gjitha mundësitë për të studiuar në këtë fushë, me mundësi specializimi në Dizajn të qëndrueshëm, Menaxhim Urban, Mirëmbajtje dhe Restaurim në Arkitekturë, Dizajn Enterieri, si dhe Planifikim Urban.