Studentët e Arkitekturës, Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Dizajnit të Integruar realizuan vizitë studimore në Turqi

30/03/2022

Studentët e Fakulteteve Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor, Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë, si dhe Dizajn i Integruar, të udhëhequr nga profesorët e UBT-së, Muhamet Ahmeti, Beni Kizolli, si dhe Ajhan Bajmaku, kanë zhvilluar një vizitë studimore në Turqi.

 

Fillimisht studentët vizitën e tyre studimore e kanë filluar në qytetin Edirne, nga ku vizituan objektin e projektuar nga arkitekti Mimar Sinan, si dhe voziturat Merkez Saray Hamamı e Edirne Beylerbeyi Hamamı, teksa studentët patën mundësi që të eksplorojnë edhe objekte të tjera të ndërtuara në periudha të ndryshme historike.

 

Në ditën e dytë, studentët e të tri fakulteteve përkatëse, realizuan një vizitë në Galerinë Tomperane, nga ku studentët panë shumë punime të ndryshme, për të vazhduar më pastaj me vizitën në Zorlu Center, projektuar nga arkitekti i njohur Emre Arolat, ku studentët panë nga afër gjelbërimin, materialet moderne, si dhe një enterier të mahnitshëm.

 

Dita e tretë e vizitës në Turqi, ka vazhduar me vizitën në pallatin Top Kapi, bazilikën e Shën Sofisë, xhaminë e kaltër, sarajin më të madh në Turqi – Dolmabahçe, për ta përmbyllur në Gallaport, kompleks ky i objekteve të reja, i projektuar nga arkitektët më eminent botëror.

 

Studentët e UBT-së, vizitën e tyre e kanë vazhduar në Panairin e Materialeve Ndërtimore, i cili është një nga panairet më të mëdha dhe më i rëndësishëm në Evropë dhe rajon, nga ku marrin pjesë më shumë se 150 shtete të botës dhe më shumë se 5000 kompani të ndryshme.

 

Studentët e UBT-së, gjatë kthimit vizituan edhe akuariumin Forum, në të cilin janë të ekspozuar të gjitha llojet e peshqëve që jetojnë në zonat tropikale, teksa studentët e të tri fakulteteve janë pritur në Edirne nga pronarët e kompanisë Atlatik nga Edirne, kompani kjo e cila vepron në Kosovë nga viti 2000.

 

Nga kjo vizitë studimore, studentët e Fakulteteve Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor, Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturë, si dhe Dizajn i Integruar, kanë përfituar eksperienca të reja, kanë parë nga afër objekte të ndryshme të punuar nga arkitektët më të mëdhenj botëror, punime të ndryshme të kohërave të ndryshme historike, si dhe galeri e vepra që inspirojnë studentët për një qasje më ndryshe dhe më multidisiplinare.