Studentët dhe profesori i UBT-së marrin pjesë në mobilitetin ndërkombëtar në kuadër të projektit V.I.R.T.U.A.L.
05/11/2024Studentët Ylli Rexhaj, Genc Isufi, Bleron Kovaçi, Redon Rexhepi dhe profesori Zymer Veliu përfaqësuan Kosovën dhe UBT-në në aktivitetin ndërkombëtar “V.I.R.T.U.A.L. Mobility in Italy”, i organizuar nga TUCEP në bashkëpunim me ARTeS. Ky projekt mblodhi pjesëmarrës nga vendet partnere, përfshirë CEFE Macedonia, European Education Initiative (UET) dhe KPT SHPK, për një eksplorim të thelluar mbi teknologjitë e Realitetit Virtual (VR) dhe Realitetit të Shtuar (AR).
Nën udhëheqjen e Dr. Damiano Perri, një ekspert nga Universiteti i Perugias, pjesëmarrësit eksploruan aplikime të avancuara të VR-së dhe AR-së në sektorët e turizmit dhe arsimit, duke hapur horizonte të reja për inovacionin digjital.
Dr. Perri, një kërkues shkencor dhe ligjërues i kursit “Laboratori i Realitetit Virtual dhe Realitetit të Shtuar I” për vitin akademik 2023/2024, ndau ekspertizën e tij në menaxhimin e bazave të të dhënave dhe implementimin e sistemeve të të mësuarit makinerik për aplikime gjuhësore.
Ky mobilitet jo vetëm që fuqizoi aftësitë teknike të pjesëmarrësve, por gjithashtu forcoi bashkëpunimin ndërkufitar dhe krijoi ura të reja midis inovatorëve në teknologji.