Stafi i Fakultetit të Gjuhës Angleze në UBT po merr pjesë në Konferencën “Multilingualism, Innovation and Digitalization in the Light of European Education Policies”
30/05/2024Stafi i Fakultetit të Gjuhës Angleze në UBT, me Dekanen Prof. Alma V. Lama po marrin pjesë në Konferencën “Multilingualism, Innovation and Digitalization in the Light of European Education Policies”, që po mbahet në Korçë.
Në fjalën e saj, Prof. Alma V. Lama, i përshëndeti të pranishmit në emër të Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, në veçanti Rektorin e Universitetit të Korçës “Fan S. Noli”, Prof. Dhimitri Bello.
“Është kënaqësi e veçantë të jemi sot në mesin tuaj në kuadër të një bashkëpunimi premtues në mes të UBT-së dhe Universitetit të Korçës “Fan S. Noli”, të bashkuar me një përkushtim të përbashkët për ekselencë akademike, inovacion dhe zhvillim të njohurive”, tha Dekania Lama.
Ky partneritet është ndërtuar mbi respektin e ndërsjellë dhe një vizion kolektiv për të përmirësuar përvojat edukative, për të nxitur hulumtime të jashtëzakonshme dhe për të kontribuar pozitivisht në shkencë.
“Me të gjitha burimet, ekspertizën dhe përvojat unike, ne synojmë dhe besojmë se do të krijojmë sinergji që do t’i shtyjnë të dy universitetet drejt horizonteve të reja të suksesit. Ne besojmë se nëpërmjet këtij bashkëpunimi, ne do të ndërtojmë ura lidhëse që do të përfitojnë jo vetëm institucionet tona, por edhe komuniteti akademik global”, potencoi Dekania Lama.