Shumë kompani vendore prezantuan produktet ushqimore në panairin e produkteve ushqimore në UBT
12/07/2021Festivali më i madh ndërkombëtar i dijes “Global UBT Fest 2021”, sot ishte nikoqir i organizimit të panairit të produkteve ushqimore, organizim ky në kuadër të Akademisë Ndërkombëtare Verore të Fakultetit Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologji në UBT.
Në panair i pranishëm ishte edhe rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi i cili u uroj mirëseardhje pjesëmarrësve që ishin nga industria e që prezantonin produktet e tyre, duke vlerësuar lartë rolin që luajnë në shoqëri, si dhe nivelin e rëndësisë që UBT i ka dhënë Fakultetit Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologji.
Në këtë panair, u ekspozuan produkte të ndryshme ushqimore të cilat ishin përgatitur nga studentë të Fakultetit Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologji në UBT, por edhe produkte që vinin nga industria.
Panairi i produkteve ushqimore zgjoi shumë interesim tek njerëzit të cilët ishin pjesëmarrës, të cilët shijuan produktet e përgatitura me shumë zell dhe përkushtim, produkte këto të prodhuara në laboratorë me parametra të duhur fiziko-kimikë.
Ky aktivitet është nismë e studentëve dhe profesorëve të Fakultetit Shkencat e Ushqimit dhe Bioteknologji, dhe u organizua në kuadër të festivalit ndërkombëtar të dijes “Global UBT Fest 2021”.