Shpallen fituesit e garës “Dita kur hakimi është i ligjshëm”

03/02/2017

Në ditën e parë të Konferencës ndërkombëtare për Siguri kibernetike dhe Privatësi, ka zhvilluar punimet edhe punëtoria “Dita kur hakimi është i ligjshëm”, me ç’rast janë përzgjedhur grupet fituese, në bazë të përformancës së tyre të treguar gjatë garës.


Sipas rezultateve të arritura, nga më shumë se 40 pjesëmarrës të ndarë në grupe, në vendin e parë është renditur grupi në krye me Kastriot Fetahun, vendi i dytë i takoi grupit të udhëhequr nga Emin Emini, si dhe në vendin e tretë janë renditur studentët e UBT-së, në krye me Granit Krasniqin, të cilëve u takoi vendi i parë në cilësinë e institucioneve arsimore.


Sipas organizatorëve të kësaj gare, qëllimi i tyre është që të gjithë të rinjtë e talentuar dhe që kanë aftësi në fushën e hakimit, të kthehen në rrugën e drejtë, përmes shfrytëzimit të një platforme që është krijuar vetëm për këtë qëllim.

Për të ofruar mbështetjen e tyre në këtë rrafsh, kompania FindBug, e cila e ka monitoruar edhe punëtorinë “Dita kur hakimi është i ligjshëm, ka krijuar një platformë transparente, ku hakerët çdo ditë do të mund të hakojnë  faqe të ndryshme, të krijuara për këtë qëllim.