Shkollat e UBT-së hapin dyert për vitin e ri shkollor 2024/25

02/09/2024

Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët UBT dhe Shkollat e Mesme të UBT-së, kanë hapur dyert për vitin e ri shkollor 2024/25 në një ceremoni mbresëlënëse që bashkoi prindër, nxënës dhe staf. Ngjarja e mbajtur në ambientet moderne të kampusit shënoi fillimin e një periudhe të re arsimore dhe ofroi një mundësi për të gjithë të njohin infrastruktura të avancuara dhe mundësi të reja për zhvillim akademik.

Në këtë ngjarje të veçantë, prindërit patën mundësinë të shqyrtojnë hapësirat e reja dhe të takohen me mësuesit e rinj që do të udhëheqin nxënësit gjatë këtij viti. Ceremonia përfshinte fjalime inkurajuese nga drejtuesit e shkollës.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, përshëndeti të pranishmit dhe shprehu kënaqësinë dhe përkushtimin për ofrimin e një ambienti modern dhe stimulues që do të ndihmojë nxënësit të arrijnë potencialin e tyre të plotë. Hajrizi uroi gjithashtu një vit të suksesshëm dhe produktiv për të gjithë pjesëmarrësit.

“Në fillim të këtij viti të ri shkollor 2024/25, është një kënaqësi e madhe për ne të shohim të gjitha Shkollat e UBT-së të mbushura me energji dhe entuziazëm. Ne mirëpresim me gëzim qindra nxënës të rinj që do të nisin rrugëtimin e tyre arsimor në ambientet tona të mrekullueshme. Me përkushtimin e jashtëzakonshëm të stafit tonë mësimdhënës dhe përkushtimin ndaj infrastruktures moderne, Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët UBT, si dhe Shkollat e Mesme të UBT-së, janë të gatshme të ofrojnë një vit të mbushur me mundësi të reja, risi dhe përvojë të pasur arsimore. Kjo zgjedhje është një dëshmi e besimit tuaj në vizionin tonë për një edukim të cilësisë së lartë, ndërtuar mbi vlera akademike dhe njerëzore të patundura. Në këtë rrugëtim të përbashkët, ne do të punojmë për të ndërtuar një të ardhme të ndritur për çdo fëmijë këtu, duke u ofruar atyre jo vetëm dije, por edhe përgatitje për çdo hap të jetës së tyre”, u shpreh rektori Hajrizi.

Drejtoresha e shkollave të UBT-së, Hajrije Devetaku, gjithashtu shprehu entuziazmin për fillimin e këtij viti shkollor dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet prindërve, nxënësve dhe stafit për arritjen e rezultateve të shkëlqyera. Devetaku inkurajoi të gjithë të shfrytëzojnë mundësitë që ofron kampusi dhe të angazhohen në çdo aspekt të përvojës edukative.

“Bashkëpunimi është thelbësor për suksesin e çdo komuniteti edukativ. Për të arritur qëllimet tona të përbashkëta, është e nevojshme që të krijojmë një partneritet të fortë dhe të ndërsjellë. Ne, si shkollë, angazhohemi për të ofruar një edukim cilësor dhe për të siguruar që çdo nxënës të ndjehet i mbështetur dhe i inkurajuar për të arritur potencialin e tij të plotë. Në këtë vit shkollor, le të angazhohemi të gjithë për të ndihmuar në krijimin e një mjedisi të tillë. Bashkë, mund të ndërtojmë një shkollë ku çdo individ ndjehet i sigurt, i motivuar dhe i përfshirë. Të punojmë së bashku për të arritur qëllimet tona dhe për të siguruar që çdo fëmijë të ketë mundësinë për të arritur më të mirën”, theksoi Devetaku.

Ngjarja përfundoi me një atmosferë festive dhe me pritshmëri të larta për vitin e ri shkollor. Ku kujdestarët e klasave së bashku me nxënësit filluan orën e parë të mësimit, që kishte për qëllim njohjen dhe programin që ofron shkolla.

Shkollat e UBT-së, janë të gatshme të ofrojnë një ambient të jashtëzakonshëm për të mbështetur zhvillimin akademik dhe personal të çdo nxënësi.