Shkollat e Mesme në UBT dhe Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët UBT shënuan Ditën e Flamurit dhe Pavarësinë e Shqipërisë

27/11/2023

Për nder të 28 nëntorit – Ditës së Flamurit dhe 111-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Shkollat e Mesme në UBT së bashku me Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët UBT, organizuan një manifestim kulturor.

Në këtë organizim morën pjesë Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi dhe drejtoresha e Shkollave të Mesme të UBT-së dhe ShFMU-së, Hajrije Devetaku, të cilët shprehën rëndësinë e kremtimit të kësaj date historike, duke trashëguar kështu brez pas brezi atdhedashurinë.

Në fjalën e tij, Rektori Hajrizi përcolli ndjenjat e krenarisë dhe nderimit për këtë datë të madhe, duke theksuar rëndësinë e trashëgimisë së atdhedashurisë nga një brez në tjetrin. Ai vlerësoi se një pjesë e theksuar e detyrës së shkollave është të forcojnë ndjenjën e identitetit kombëtar dhe kulturor tek nxënësit.

“Në këtë ditë të 28 nëntorit, ne përkujtojmë me nder dhe respekt personalitetet e shquara të kombit shqiptar të cilët jetësuan lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. Kjo është një ngjarje që na nxit të reflektojmë mbi trashëgiminë tonë historike dhe detyrimin tonë për trashëguar atë me nder dhe përkushtim. Edukimi dhe arsimimi i brezave të rinj është krenaria jonë, dhe kujtesa për ditët e lavdishme të shqiptarëve është një burim frymëzimi për ta dashur edhe më shumë vendin dhe kombin. Nëpërmjet arsimit, ne shpërbëjmë barrierat dhe hapim dyert për një të ardhme më të ndritur për kombin dhe shtetet tona”, tha Rektori Hajrizi.

Nga ana tjetër, Drejtoresha Devetaku theksoi përkushtimin për kultivimin e vlerave kombëtare dhe përforcimin e identitetit shqiptar. Ajo inkurajoi nxënësit për angazhim më të madh, si dhe cilësoi shkollën si institucionin kryesor për zhvillimin e vlerës së atdhedashurisë.

“Sot, është një dite feste për ne, është një ditë frymëzimi dhe motivimi për të vazhduar rrugëtimin tonë për kultivimin e identitetit kombëtar e kulturor përmes rrugës së edukimit dhe arsimimit të nxënësve. Muaji nëntor në shkollat e UBT-së ishte muaji i kultivimit të atdhedashurisë si vlerë e rëndësishme e shoqërisë dhe shtetit, prandaj të dashur nxënës, rruga më e mirë për ta zhvilluar këtë vlerë është rruga institucionale dhe shkolla është institucioni më kompetent për të zhvilluar vlera të tilla”, ka thënë Devetaku.

Kjo ngjarje e mbushur me emocion dhe krenari u shënua si një moment i rëndësishëm në hulumtimin dhe përforcimin e ndërgjegjes historike dhe patriotike të brezave të rinj shqiptarë.