Shënohet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit në UBT

03/05/2024

Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë dhe Shtypit, Fakulteti Media dhe Komunikim në UBT organizoi një debat rreth temës: “Etika në mediat e shkruara elektronike në Kosovë”. Diskutimi u fokusua në sfidat dhe mundësitë që përballen gazetarët në këtë kontekst, duke u përqëndruar në standardet profesionale dhe etike të profesionit.

Panelistët, si: Ferid Selimi, Gjylie Rexha, Safet Zejnullahu, Musa Sabedini dhe Votim Hanoli, ndanë eksperiencën e tyre të gjatë dhe të pasur në fushën e gazetarisë. Ata ngritën shembuj konkret nga praktika e tyre, duke theksuar rëndësinë e ndërgjegjësimit të gazetarëve për rolin e tyre në shoqëri dhe për përgjegjësinë e tyre për të raportuar të vërtetën.

Në fjalën e tij, Dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, Prof. Dr. Ferid Selimi shprehu bindjen se integriteti dhe besueshmëria e informacionit janë dy elemente themelore për mediat moderne. Selimi u fokusua në rëndësinë e standardeve etike në një periudhë ku informacioni është përhapur shumë shpejt, theksoi se kjo është arsyeja pse përgjegjësia për transparencë dhe saktësi është më e rëndësishme se kurrë më parë.

Profesori Musa Sabedini theksoi se mungesa e strukturave të redaktimit të mirëfillta dhe e gazetarëve të trajnuar mund të dëmtojë nivelin e gazetarisë profesionale dhe të vë në rrezik rolin e medias si zë zyrtar i informacionit.

“Mediat duhet të jenë të lira nga çdo ndërhyrje politike dhe ekonomike, gjatë punës së tyre për të informuar publikun. Ndërsa gazetaret në përgjithësi, duhet të çlirohen nga frika, lakmia, servilizmi dhe vetë censura. Në mungesë të redaksive profesionale, në mungesë të redaktorëve të shkolluar e ngritur profesionalisht dhe në mungesë të gazetarëve nga tereni, po krijojmë dhe po rrezikojmë mënyrën e të bërit gazetari profesionale, në fakt po rrezikojmë vet ekzistencën e medias profesionale”, tha Sabedini.

Në linjë me këtë, edhe profesori Safet Zejnullahu u përqendrua në ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë e informacionit të saktë dhe të paanshëm, duke e cilësuar këtë si një pjesë kritike e funksionimit të një shoqërie demokratike. Ai shtoi se një publik i informuar dhe i ndërgjegjësuar është baza për një debat të shëndetshëm publik dhe për një demokraci të qëndrueshme.