Rreth 3 mijë pjesëmarrës në Konferencën Ndërkombëtare të UBT-së: Përmbyllet suksesshëm edicioni i 13-të

28/10/2024

Konferenca Ndërkombëtare e UBT-së për Biznes, Teknologji dhe Inovacion, e cila u zhvillua për tre ditë me radhë, përfundoi zyrtarisht, duke mbledhur rreth 3,000 akademikë, hulumtues dhe studentë nga dhjetëra vende të botës. Ky edicion shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e njohurive dhe ideve në fusha të ndryshme të shkencës, biznesit dhe teknologjisë.

Në fjalimin e tij përmbyllës, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, e vlerësoi konferencën si një sukses të jashtëzakonshëm, duke theksuar angazhimin e të gjithë pjesëmarrësve në avancimin e dijes dhe inovacionit. Ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimin e përvojave që ndihmojnë në zhvillimin e fushave të studimit.

Rektori Hajrizi falënderoi veçanërisht organizatorët dhe kontribuesit, duke përmendur se ky edicion ka sjellë rreth 24 fusha studimi, gjithashtu theksoi se ky event ka promovuar inovacionin dhe ka ofruar mundësi të reja bashkëpunimi mes hulumtuesve.

Ceremonia e mbylljes përfshiu fjalime dhe vlerësime nga disa nga folësit kryesorë të konferencës, vendor dhe ndërkombëtarë të cilët ndanë përshtypje pozitive për nivelin e lartë të angazhimit dhe profesionalizmit. Ata nënvizuan rëndësinë e shkëmbimit të ideve dhe rezultateve kërkimore, si dhe potencialin e këtij eventi për të kontribuar në përparimin e shkencës dhe teknologjisë.

Konferenca ofroi gjithashtu mundësi për rrjetëzim dhe ndihmoi në krijimin e lidhjeve të reja mes akademikëve dhe profesionistëve, duke e bërë një ngjarje të rëndësishme për zhvillimin e ardhshëm të hulumtimeve dhe inovacioneve.

Me këtë, UBT konfirmoi angazhimin e saj për të vazhduar me këtë traditë dhe për të ofruar një platformë të fuqishme për zhvillimin e gjeneratave të ardhshme të shkencëtarëve dhe liderëve. Konferenca Ndërkombëtare e UBT-së do të vazhdojë të jetë një pikë e rëndësishme e takimit për ata që kërkojnë të kontribuojnë në avancimin e njohurive dhe praktikave në biznes, teknologji dhe inovacion.