Robin Mudry nga bordi ekzekutiv i JEF Europe zhvilloi një diskutim të hapur me studentët dhe gjimnazistët e UBT-së

11/03/2023

Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, Robin Mudry nga bordi ekzekutiv i JEF Europe (Federalistëve të Rinj Evropianë) pati një diskutim me studentët dhe gjimnazistët e UBT-së mbi federalizmin, demokracinë, aktivizmin dhe aktivitetet e JEF Europe.

Mudry theksoi se “JEF”, ose Federalistët e Rinj Evropianë, është organizata më e madhe rinore politike jopartiake me mbi 10,000 anëtarë në të gjithë Evropën. JEF po punon drejt një kontinenti evropian të bashkuar dhe të organizuar në mënyrë federale që do të përfshijë dhe integrojë plotësisht Ballkanin Perëndimor.

Ai shtoi po ashtu se aktivizmi është në qendër të aktiviteteve të JEF-it kur të rinjtë takohen me njëri-tjetrin, organizojnë fushata dhe seminare ndërkombëtare dhe angazhohen në diskutime pan-evropiane për të formuluar kërkesat e tyre politike dhe programin politik të JEF Europe.

Premtimi i demokracisë, sipas Mudry, është shumë më tepër sesa thjesht votimi – është ajo që i motivon dhe i orienton JEFers në kërkimin e tyre për një Evropë të demokracisë, lirisë, solidaritetit, respektit, sundimit të ligjit dhe të të drejtave të njeriut. Mudry për Bibliotekën e UBT-së, dhuroi librin “Textile Manifestoes” ku ai është autor dhe redaktor.