Rektori i UBT-së, Hajrizi: Krijimi i Fakultetit të Inxhinierisë së Energjisë në UBT, një hap i rëndësishëm për zhvillimin e sektorit energjetik të Kosovës

03/12/2024

Gjatë simpoziumit të II-të të CIGRE për Tranzicionin e Energjisë, Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, ka theksuar rëndësinë që ka sektori i energjisë për zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës dhe përgatitjen e brezave të ardhshëm për sfidat e tranzicionit energjetik. Ai ka njoftuar gjithashtu se kur për herë të parë UBT ka krijuar Fakultetin e Inxhinierisë së Energjisë, ka bërë një hap të rëndësishëm në përpjekjet për të zhvilluar kuadro të kualifikuara që kontribuojnë në modernizimin dhe transformimin e sektorit energjetik të Kosovës.

Hajrizi ka theksuar se, duke marrë parasysh rolin kyç që ka energjia elektrike për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës, UBT ka bërë një hap të rëndësishëm për të adresuar nevojën për specialistë të fushës.

Fakulteti i Inxhinierisë së Energjisë në UBT është i pari i llojit të tij në Kosovë dhe synon të përgatisë inxhinierë të kualifikuar për të kontribuar në zhvillimin e sektorit energjetik dhe për të mbështetur tranzicionin energjetik.

“Duke marrë parasysh që tranzicioni energjetik nënkupton një transformim të sistemit energjetik nga një ekzistues në një tjetër, kjo kërkon një qasje sistemore të gjenerimit, të ruajtjes, të përdorimit dhe të shpërndarjes. Në UBT e kemi futur strategjikisht energjinë, duke marrë parasysh si sektor me rëndësi për Kosovën në pjesën prioritare tonë dhe i qasemi nga këndvështrime të ndryshme. Qysh në fillim kemi themeluar për herë të parë Fakultetin e Inxhinierisë së Energjisë, për t’i dhënë peshë dhe për ta shty mesazhin që energjia është dhe do të jetë diçka shumë e rëndësishme, që është e nevojshme dhe duhet ta mbrojmë. Kemi filluar me programin bachelor dhe kemi vazhduar me programin master në pjesën e energjisë së ripërtërishme dhe tregut të energjisë, tani e kemi kthyer në konceptin e ri,” ka thënë ai.

Rektori Hajrizi shtoi se UBT ka përqendruar prioritetet e saj në sektorin e energjisë, duke e konsideruar atë si një nga sektorët më të rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës. Ai theksoi se krijimi i Fakultetit të Inxhinierisë së Energjisë ka si qëllim të përgatisë kuadro të aftë dhe të kualifikuar që mund të kontribuojnë në realizimin e strategjive afatgjata të tranzicionit energjetik.

Kjo iniciativë është pjesë e një qasjeje më të gjerë strategjike që ka për qëllim të sigurojë një bazë të qëndrueshme arsimore dhe profesionale për sektorin energjetik në Kosovë. Hajrizi shpjegoi se UBT ka krijuar një kurrikulum të avancuar që ofron programe studimi në nivelin bachelor dhe master për fushat si energji e rinovueshme, menaxhim i energjisë, dhe tregu i energjisë.

Angazhimi i UBT-së për zhvillimin e sektorit të energjisë

Rektori Hajrizi ka përmendur gjithashtu se përmes krijimit të Fakultetit të Inxhinierisë së Energjisë, UBT dëshiron të ofrojë një kontribut të drejtpërdrejtë në zhvillimin e politikave energjetike dhe në mbështetje të agjendës kombëtare për të arritur qëllimet e tranzicionit energjetik. Sipas tij, edukimi dhe formimi i specialistëve të rinj në këtë fushë është thelbësor për të garantuar që Kosova të jetë e aftë të përballojë sfidat që do të sjellë kalimi në burime të rinovueshme dhe teknologji të reja energjetike.

Përmes këtyre nismave, UBT ka vendosur një gur themeli për një të ardhme energjetike të qëndrueshme për Kosovën. Fakulteti i Inxhinierisë së Energjisë jo vetëm që do të sigurojë profesionistë të kualifikuar për të adresuar sfidat e tranzicionit energjetik, por gjithashtu do të luajë një rol të rëndësishëm në promovimin e kërkimeve dhe zhvillimit të teknologjive të reja, që janë jetike për përmirësimin e sistemeve energjetike në vend.