Rektori Hajrizi zhvillon takim pune me anëtarë të Fondacionit të Kolegjit të Mbrojtjes të NATO-s

28/06/2018

Bashkëpunimi i ngushtë i krijuar ndër vite ndërmjet UBT-së dhe Fondacionit të Kolegjit të Mbrojtjes i NATO-s, ka bërë që rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi të pritet në Romë nga vetë anëtarët e këtij institucioni.

Hajrizi është pritur në takim nga gjeneralët, Giuseppe Morabito dhe Giorgio Battisti, të cilët e rikonfirmuan mbështetjen dhe vazhdimin e bashkëpunimit me UBT-në. Morabito dhe Battisti, së bashku edhe me kolegë të tjerë nga Kolegji i Mbrojtjes i NATO-s, kanë shfaqur gatishmërinë e tyre që të kontribuojnë në Akademinë Ndërkombëtare Verore të UBT-së, me anë të simulimit në modelin e punës së NATO-s.

Kujtojmë se bashkëpunimi ndërmjet UBT-së dhe Kolegjit të Mbrojtjes ka marrë formë tash e disa vite, me ç’rast përgjatë tyre në vijimësi janë mbajtur, konferenca, tryeza diskutimi e seanca simulimi të përbashkëta, me qëllim të njohjes së studentëve me historikun, rolin, ndikimin dhe modelin e funksionimit të NATO-s përgjatë viteve, duke marrë mësim nga gjeneralët dhe veteranët e kësaj organizate me ndikim global.