Rektori Hajrizi takon kryetaren e AMA-s në Tiranë, Armela Krasniqi

28/04/2023

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi ka takuar kryetaren e Autoritetit të Mediave Audiovizive në Shqipëri, Armela Krasniqin, me të cilën diskutuan për funksionimin e institucionit të AMA-s dhe për mundësitë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e mediave.

Rektori Hajrizi i shoqëruar nga zyrtarët e grupit të medias në UBT, Edonit Behluli dhe Elion Kollçaku, e njoftoi kryetaren Krasniqi me punën dhe angazhimin e UBT-së ndër vite në fushën e mediave dhe televizionit, zhvillimin medial brenda institucional dhe strategjinë e UBT-së për t’i ndihmuar kuadrot e reja në këtë fushë.

Rektori Hajrizi, nga ana e tij, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve akademike dhe mediatike në Shqipëri dhe në Kosovë dhe ka shprehur dëshirën për të vazhduar kontributin dhe të ndihmojë në zhvillimin e sektorit mediatik në rajon.

Kryetarja Krasniqi ka vlerësuar angazhimin e UBT-së në fushën e mediave dhe ka falënderuar Rektorin Hajrizi për vizitën dhe diskutimet konstruktive, duke shprehur dëshirën për të vazhduar bashkëpunimin e dy institucioneve në të ardhmen.

Takimi mes Rektorit Hajrizi dhe kryetares Krasniqi u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për të identifikuar fusha të reja bashkëpunimi dhe për të ndihmuar në zhvillimin e sektorit mediatik në rajon.