Rektori Hajrizi: Sfidë siguria kibernetike, rritet për 50% tentimi për thyerjen e llogarive bankare
28/01/2020Siguria kibernetike vazhdon të përballet me probleme të shumta, sfida të cilat konkretisht po prekin direkt institucionet, individët e sidomos sistemet bankare.
Madje, rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi theksoi se është rritur në 50% edhe tentimi për thyerjen e llogarive bankare, kjo me qëllim për tu kyçur në të dhëna.
Këto ai i potencoi në Ditën Evropiane për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në punëtorinë e mbajtur me temë: “Privacy in Digital Age II”, organizuar nga komuniteti CSP, në bashkëpunim me UBT-në.
Rektori Hajrizi tha se në vitin 2020 do të implementohet inteligjenca artificiale dhe çdo objekt do të jetë i lidhur me internetin, ku në këtë mënyrë Kosova do të jetë në hap me trendët botërore.
“Ka aspekte që e cenojnë sigurinë dhe privatësinë. Çdo ditë e më shumë po qëndron, kompleksiteti po rritet si dhe ka interesime të ndryshme për ta marrë parasysh çështjen e të dhënave. Pra, 50% është rritur tentimi për thyerje të llogarive bankare, kjo tregon një interesim të theksuar për tu qasur në të dhëna bankare. Në vitin 2020 do të implementohet inteligjenca artificiale, do të kalojmë në një pjesë tjetër kibernetike. Ne kemi mungesë të kuadrove të sigurisë kibernetike. Por çdo objekt do të jetë i lidhur me internetin”, theksoi rektori Hajrizi.
Ai tha se vendi po përballet me mungesë të kuadrove për siguri kibernetike, por sipas tij, UBT është i vetmi institucion i arsimit të lartë që po punon në këtë drejtim, po punon në akreditimin e programeve të reja dhe diplomimin e gjeneratave profesionale në këto fusha.
“Kosova ka një zhvillim më të mirë, të rinjtë tanë janë të interesuar për të punuar në këtë drejtim. Kjo krijon një ambient vlerësues nga ndërkombëtarët. Profesionistët e Kosovës janë mjaftë aktiv. Ne prijmë në religjion 90% e qytetarëve përdorin internetin. UBT punon vazhdimisht në këtë drejtim, si institucion aplikojmë çdo herë për programe të reja, në mënyrë që të krijojmë kuadro që ndihmojnë procesin sepse kemi ende mungesë”, tha rektori Hajrizi.
Mentor Hoxhaj nga CSP, ka prezantuar rezultatet e nxjerra nga hulumtimet për institucionet dhe organet publike dhe njohuritë për GDPR dhe ligjin e ri për mbrojtjen e të dhënave, si dhe shqetësimet e qytetarëve lidhur me privatësinë, ku tregoi se mbi 84 për qind e anketuesve janë të shqetësuar për sigurinë dhe privatësinë në internet.
“Hulumtimi i parë ka të bëjë me ligjin për mbrojtjen dhe i dyti me perspektivë e qytetarëve në siguri. 62.5% e institucioneve nuk kanë njohuri, 63% nuk janë të përgatitur. 62.3% nuk janë të njoftuar mbi të dhënët e të drejtat e tyre. Impakti i privatësisë 47% nuk e bëjnë vlerësimin”, “15.3% nuk janë të shqetësuar derisa pjesë e madhe janë të shqetësuar me privatësinë. Privatësia online është më e rëndësishme për 66.9%, derisa në dokumente të shkruara është vetëm 34.6%. 58% nuk janë të njoftuar me të drejtat e tyre të cilat i kanë në këtë drejtim, 81% pranojnë mesazhe apo qoftë marketing të drejtpërdrejtë”, theksoi ai.
Punëtoria mblodhi përfaqësues të institucioneve shtetërore, përfaqësues të kompanive teknologjikë, njëherësh edhe studentë të këtyre fushave, që diskutuan gjerësisht për sfidat e sigurisë kibernetike.