Rektori Hajrizi priti në takim studentët e UBT-së që kaluan një semestër të studimeve në Gjermani

06/03/2019

Rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi ka pritur në takim studentët e Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, të cilët, si pjesë e programit të shkëmbimit të studentëve, kanë përfunduar një semestër të studimeve në Anhalt University of Applied Sciences, në Gjermani.

 

Anesa Mustafa, Blend Dema, Flaka Syla, Floriana Zllanoga, janë katër nga shtatë studentët e UBT-së, të cilët u pritën nga rektori dhe i shpalosën atij përvojën e paharruar gjatë muajve të kaluar në Gjermani.

 

Rektori Hajrizi u shpreh i lumtur që UBT ka ndihmuar studentët që ta përjetojnë ndjenjën e të studiuarit në njërin nga universitetet më të njohura në botë për arkitekturë.

“Jam i lumtur që përmes UBT-së ua kemi ofruar studentëve mundësinë që të studiojnë në një universitet me renome ndërkombëtare, sepse qëllimi ynë kryesor është që studentët tanë t’i dërgojmë jashtë kufijve për t’u inspiruar e për të sjellë përvojën e tyre që të zhvillojnë shtetin tonë”, theksoi Hajrizi.

 

Edhe studentët e UBT-së që ishin përfitues të kësaj burse u ndanë shumë të kënaqur me përvojën e fituar, teksa shprehën gatishmërinë e tyre që përvojën e fituar ta inkorporojnë në punën e tyre të përditshme në Kosovë.