Rektori Hajrizi priti në takim profesorin e asocuar nga “The University of Iowa”, Russell Ganim

03/05/2023

Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan, rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i shoqëruar nga dekani i Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT, Prof. Muhamet Gërvalla, profesori Enver Krasniqi, drejtoresha e Kampusit, Lirigzona Morina dhe përfaqësuesja e Zyrës Ndërkombëtare, Elinda Krasniqi, mirëpriti profesorin e asocuar nga “The University of Iowa”, Russell Ganim.

Në këtë takim, u diskutua për bashkëpunimin aktual mbi klasat e përbashkëta dhe planet e ardhshme të projekteve të përbashkëta, si dhe për mundësinë e një akademie verore, kërkime të përbashkëta dhe programe të shkëmbimit të studentëve dhe stafit.

UBT dhe “The University of Iowa” janë duke bashkëpunuar në disa fusha studimi me sesione efektive të përbashkëta mes dy institucioneve.

Akademia e propozuar verore do të zhvillohet gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Dijes “Global UBT Fest 2023”, duke u ofruar studentëve mundësinë për të fituar përvoja të reja, si dhe do të ofrohet për studentët një kurrikulë akademike dhe bashkëveprim me bashkëmoshatarë nga prejardhje dhe kultura të ndryshme.

Përveç akademisë verore, UBT dhe “The University of Iowa” janë duke punuar iniciativa të mundshme kërkimore bashkëpunuese duke kombinuar ekspertizën e fakultetit dhe të studiuesve.

Programet e shkëmbimit të studentëve dhe fakulteteve janë gjithashtu në horizont, me plane për t’i lejuar studentët dhe pedagogët të kalojnë kohë në institucionet e njëri-tjetrit, duke kontribuar në projektet kërkimore në vazhdim, që do të krijonte mundësi për mirëkuptim dhe bashkëpunim ndërkulturor, i cili mund të çojë në nisma të përbashkëta edhe më të frytshme në të ardhmen.