Rektori Hajrizi priti në takim kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama

07/04/2022

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ka mirëpritur në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

 

Në këtë takim, rektori Hajrizi e ka njoftuar kryetarin Rama me punën dhe zhvillimin e UBT-së ndër vite, si dhe arritjet e institucionit në arenën ndërkombëtare, faktorë këta që kanë ndikuar shumë në ndërkombëtarizimin e Kosovës në fushën e arsimit.

 

Ndër të tjera, rektori Hajrizi i ka prezantuar kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, inovacionet dhe teknologjitë më të reja që ka sjell në Kosovë UBT, në mënyrë që studentët të zhvillojnë studimet akademike në hap me trendet e reja botërore.

 

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama është shprehur i lumtur që UBT ka zhvilluar një energji kreative brenda institucionit me një vullnet të mirë për t’iu ofruar studentëve studime akademike të mirëfillta.

 

“Po kënaqem që në Kosovë ekziston një universitet i tillë që e ndërlidh akademinë me punë praktike, pra nuk është i bazuar vetëm në teori, por teoria ndërlidhet me praktikë, dhe po shoh instanca të ndryshme që i pamë tani, të ekonomisë së re, të ekonomisë cerkulare, të investimeve të cilat kanë në pah aspektin ambiental të zhvillimit të një institucioni të mirëfilltë që ofron kushte shumë të mira për studentët tanë, pra për studentët e Kosovës”, ka thënë fillimisht kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

 

Ai ka theksuar se hapësirat e zhvilluara në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, po ofrojnë një gërshetim të fushave të ndryshme për stimulimin e gjërave kreative dhe inovative.

 

“Po i shoh hapësirat që me të vërtetë mundësojnë stimulimin e mendjes të të rinjve tanë, e mundësojnë edhe një bashkëdyzim dhe bashkëveprim të fushave të ndryshme, pra një bashkëpunim të mirëfilltë i cili stimulon edhe mendimin jashtë kornizave standarde, pra stimulimin e gjërave kreative dhe inovative”, ka thënë kryetari Rama.

 

Ai ka thënë se Komunës së Prishtinës i duhen studentë me pasion që duan të ndihmojnë në zhvillimin e kryeqytetit, duke theksuar se do të organizojnë edhe një workshop për të prezantuar edhe vizionin e kryeqytetit, në mënyrë që studentët të shprehin kreativitetin e tyre, përderisa rektori Hajrizi ka shprehur gatishmërinë e plotë që të ndihmojnë të gjithë në këtë aspekt.

 

“Ne konfirmojmë gatishmërinë tonë që edhe me studentë dhe me staf, dhe me gjitha resurset tona të jemi në dispozicion për të analizuar, studiuar dhe përdorur kreativitetin që kemi, në mënyrë që vendimmarrja të jetë sa më e lehtë dhe më e shpejtë”, ka thënë rektori Hajrizi.

 

Nga ky takim, palët u pajtuan që të bashkëpunojnë në të ardhmen për zhvillimin e kryeqytetit dhe të vazhdojnë ndihmën për studentët në lehtësimin e studimeve të tyre në aspekte të ndryshme.