Rektori Hajrizi për vizitë zyrtare në Itali, është takuar me përfaqësues institucional dhe ndërmarrës të suksesshëm
18/09/2022Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi ka qëndruar për vizitë zyrtare në Itali, me ç’rast është takuar me liderë të institucioneve të arsimit të lartë dhe me përfaqësues nga biznese të mëdha, me të cilët ka diskutuar për rëndësinë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të ideve.
Rektori Hajrizi u takua me lidershipin e universiteteve më të njohura në botë, duke i njoftuar ata për zhvillimet në UBT dhe Kosovë, me theks të veçantë për modelin e University 4.0, që UBT e ka zhvilluar dhe implementuar në Kosovë dhe rajon.
Gjatë vizitës treditore, rektori Hajrizi u takua edhe me përfaqësues të industrisë në Bolonjë dhe prezantoj mundësitë e investimeve në Kosovë dhe bashkëpunimin me UBT-në. Takime vëllazërore kishte edhe me përfaqësuesit e shoqatës shqiptare arbëreshe në Itali, të cilët përpos sukseseve të treguara në bizneset e tyre bëjnë edhe shumë punë të mëdha humanitare për Kosovë dhe Shqipëri, si dhe promovojnë vlerat tona, duke shprehur kështu potencialin dhe nevojën për zhvillim që ekziston, sidomos në fushën e teknologjive moderne.
Krijimi i partneriteteve të reja sipas rektorit Hajrizi është një mundësi shumë e mirë për Kosovën dhe për zhvillimin e saj të mëtutjeshëm, duke marrë parasysh edhe potencialin e të rinjve dhe kompetencat e të rinjve që po zhvillohen në kuadër të ekosistemit në UBT.
“Partneritetet e reja janë gjithnjë të mirëseardhura dhe bashkëpunimi me institucione të ndryshme të arsimit nga vende të ndryshme të botës është shumë i rëndësishëm për zgjerimin e ekosistemit tonë inovativ, ekosistem ky që iu mundëson të rinjve zhvillimin e tyre profesional përmes studimeve në UBT”, ka thënë rektori Hajrizi.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi përgjatë vizitës së tij në Itali, ka marrë pjesë në një ceremoni solemne të organizuar nga Universiteti i Bolonjës, ku ka nënshkruar versionin e ri të deklaratës “Magna Charta Universitatum”.