Rektori Hajrizi për të diplomuarit e UBT-së: Ju jeni ambasadorë të vlerave dhe standardeve tona
16/09/2024Në një atmosferë festive dhe plot emocion, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mbajti një fjalim frymëzues gjatë ceremonisë së diplomimit të gjeneratës së 21-të të studentëve të këtij institucioni lider në arsimin e lartë në Kosovë dhe rajon. Duke iu drejtuar studentëve, prindërve, familjarëve dhe miqve të pranishëm, ai përgëzoi të gjithë për këtë arritje të madhe.
“Sot, ndërsa qëndroj përpara jush, më lejoni të filloj duke ju përgëzuar nga thellësia e zemrës për këtë arritje të madhe. Dita e sotme shënon një moment kthese në jetën tuaj, një moment që përmbledh vite të tëra përkushtimi, punë të palodhshme dhe përballje me sfida të shumta. Çdo hap që keni ndërmarrë deri në këtë pikë ka qenë një gur themel në ndërtimin e një të ardhme që ju pret”, u shpreh Rektori Hajrizi.
Rektori vuri theksin te rëndësia e dijes dhe vlerave që studentët kanë përvetësuar gjatë viteve të studimit në UBT. “Sot nuk festojmë vetëm për përfundimin e një kapitulli, por edhe për fillimin e një rrugëtimi të ri. Me njohuritë dhe aftësitë që keni fituar, ju jeni të përgatitur për të përballuar çdo sfidë që e ardhmja mund t’ju sjellë”.
Duke iu drejtuar studentëve si ambasadorë të UBT-së, Rektori Hajrizi theksoi përgjegjësinë e tyre për të përfaqësuar vlerat dhe standardet e institucionit, kudo që të shkojnë. “Ju keni fuqinë për të bërë një ndikim pozitiv në botë. Një mendje e arsimuar dhe një zemër plot pasion janë dy armët më të fuqishme që do t’ju udhëheqin në këtë rrugëtim të ri”.
Fjalimi i tij kulmoi me një mesazh të veçantë për komunitetin e studentëve: “Mos harroni të qëndroni të lidhur me njëri-tjetrin dhe me UBT-në. Ky komunitet është një burim me vlerë të jashtëzakonshme, dhe dera jonë do të jetë gjithmonë e hapur për ju.”
Në përfundim, Rektori Hajrizi shprehu krenarinë dhe besimin e tij në potencialin e studentëve: “Ne besojmë në aftësitë tuaja dhe në zemrën tuaj. Ju jeni ata që do të formësoni të ardhmen e shoqërisë sonë. Urime dhe suksese të mëdha në këtë kapitull të ri të jetës tuaj!”
Ceremonia përmbyllëse, e mbushur me entuziazëm dhe emocione, u përjetësua me hedhjen tradicionale të kapelave, duke shënuar kështu fillimin e një faze të re në jetën profesionale të të diplomuarve.