Rektori Hajrizi për 4 korrikun: ShBA ka qenë dhe mbetet një mik dhe partner i rëndësishëm për Kosovën dhe popullin shqiptar
04/07/2024Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, në emër të tij personal dhe të institucionit, ka uruar qytetarët për 4 korrikun – Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai theksoi kontributin e pazëvendësueshëm të ShBA-së për zhvillimin dhe përparimin global, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe popullit të saj.
“ShBA ka luajtur një rol kyç në promovimin e paqes, demokracisë dhe lirisë në mbarë botën. Përmes përkushtimit të saj të palodhshëm ndaj këtyre vlerave, ajo ka ndihmuar në krijimin e një bote më të sigurt dhe më të drejtë për të gjithë. Ne jemi thellësisht mirënjohës për mbështetjen e saj të fuqishme dhe për miqësinë e ngushtë që kemi ndërtuar gjatë viteve”, tha Rektori Hajrizi.
Ai tha se ShBA ka qenë dhe mbetet një mik dhe partner i rëndësishëm për Kosovën dhe popullin shqiptar.
“Për Kosovën dhe popullin shqiptar, mbështetja e ShBA-së ka qenë jetike. Nga ditët e para të luftës për liri dhe pavarësi, deri te ndihma e vazhdueshme në ndërtimin e një shteti demokratik dhe të qëndrueshëm, ShBA ka qenë dhe mbetet një mik dhe partner i rëndësishëm për ne. Bashkëpunimi ynë me Shtetet e Bashkuara ka sjellë përfitime të shumta në fushën e arsimit, ekonomisë, teknologjisë dhe shumë fusha të tjera”, shtoi Rektori Hajrizi.
Në këtë ditë të veçantë, Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë mes UBT-së dhe institucioneve amerikane, duke veçuar projekte të përbashkëta që kanë kontribuar në zhvillimin e kapaciteteve arsimore dhe shkencore të UBT-së dhe të Kosovës në tërësi.