
Rektori Hajrizi për 17-vjetorin e Pavarësisë: Kosova ka dëshmuar se është një shtet me perspektivë, që po zhvillohet me ritme të shpejta dhe po forcon pozicionin e saj në botë
17/02/2025Në këtë përvjetor historik të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka përcjellë urimet e tij më të përzemërta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e kësaj date për kombin shqiptar.
Rektori Hajrizi ka vlerësuar Pavarësinë si një arritje të madhe të popullit të Kosovës, e cila erdhi si rezultat i sakrificave dhe përpjekjeve të vazhdueshme për liri dhe shtetndërtim. Ai ka nënvizuar se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin e saj, duke u afirmuar fuqishëm në arenën ndërkombëtare.
“17 shkurti është një moment historik për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët. Është dita kur u kurorëzua lufta jonë për liri, pavarësi dhe dinjitet kombëtar. Gjatë këtyre 17 viteve, Kosova ka dëshmuar se është një shtet me perspektivë, që po zhvillohet me ritme të shpejta dhe po forcon pozicionin e saj në botë. Sot, ne jemi më të vendosur se kurrë për të ndërtuar një të ardhme edhe më të ndritur, duke kontribuar në arsim, kulturë, ekonomi dhe inovacion. Kosova nuk është më thjesht një vend i ri, por një shtet që krijon vlera dhe konkurron me dinjitet në arenën ndërkombëtare”, ka deklaruar Rektori Hajrizi.
Me këtë rast, ai ka ritheksuar përkushtimin e UBT-së për të dhënë kontributin e tij në zhvillimin e vendit, përmes edukimit cilësor dhe krijimit të mundësive për gjeneratat e reja, të cilat do të jenë shtylla e së ardhmes së Kosovës.