Rektori Hajrizi në takim me drejtuesit e kompanisë amerikane “Visteon” në Bullgari
28/04/2021Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, zhvilloi sot në Sofje të Bullgarisë, disa takime të rëndësishme që kanë për synim avancimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë dhe gjithashtu sjelljen e investimeve të reja teknologjike në fushën e automobilizmit në Kosovë.
Në ditën e parë të vizitës së tij në Sofje, rektori Hajrizi i shoqëruar nga i ngarkuari me punë i Republikës së Kosovës në Bullgari, ambasadori Delfin Pllana, zhvilloi një takim pune me drejtorin e kompanisë globale për Bullgari dhe Rumani, “Visteon”, Ivan Mihaylov.
“Lajme të mira për Kosovën. Me kompaninë amerikane kemi diskutuar për prezencën e saj në Kosovë për të realizuar studime të rëndësishme në fushën e automobilizmit”, u shpreh rektori Hajrizi.
Ndër tjerash, rektori Hajrizi e njoftoi z.Mihaylov për të arriturat e UBT-së që nga themelimi si dhe zhvillimet e fundit në fushën e inovacionit, teknologjisë, ndërmarrësisë në të cilat është e përfshirë UBT.
Drejtori i kompanisë globale amerikane “Visteon”, Ivan Mihaylov, u shpreh i impresionuar me të arriturat e UBT-së duke konfirmuar interesimin për të gjetur mënyra të bashkëpunimit të ndërsjellë.
Me këtë rast, ambasadori Pllana tha që ky takim dëshmon se si në Bullgari dhe në Kosovë ekzistojnë kompani dhe institucione serioze të cilat duhet të shfrytëzojnë potencialin e madh që ekziston për bashkëpunim ndërmjet të dyja vendeve.
“Visteon” është kompani lidere globale në fushën e dizajnimit dhe prodhimit të pajisjeve elektronike për industrinë automobilistike dhe furnizuesi më i madh i automobilave.