Rektori Hajrizi mori pjesë në takimin e GEOBIZ

12/11/2021

Për dy ditë me radhë në Prishtinë është mbajtur takimi i GEOBIZ, i cili mbështetet nga Erasmus +  me qëllim të ngritjes së kapaciteteve në fushën e arsimit të lartë.

 

Qëllimi kryesor i projektit GEOBIZ është forcimi i kapaciteteve të institucioneve akademike në mënyrë që këto institucione të jenë në gjendje t’u përgjigjen nevojave të industrisë gjeoinformatike në zhvillim në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Moldavi dhe Mal të Zi.

 

Dita e parë GEOBIZ, në të cilin është diskutuar për progresin e arritur deri tash në implementimin e këtij projekti, ka filluarr me fjalimin e koordinatorit të projektit, profesorit nga Universiteti i Zagrebit, prof.dr.Zeljko Bacic, Rektorit të UBT-së, prof.dr.Edmond Hajrizit dhe rektorëve nga universitetet tjera partnere.

 

Sesioni i dytë i punimeve ka qenë i dedikuar për UBT-në, ku profesorët Hazir Çadraku dhe Tomor Çela, kanë prezantuar të arriturat e gjertanishme në kuadër të këtij projekti.

 

Projekti ka si synim krijimin e formave të reja dhe inovative të bashkëpunimit në relacionin biznes-akademi për të mbështetur ndërveprimin në proceset e mësimdhënies/të nxënit në gjeoinformatikë. Po ashtu, ka për synim krijimin e platformës që mbështet ekselencën në gjeoinformatikë. Zhvillimi i programeve novatore të trajnimit të mësuesve dhe metodologjive praktike të mësimdhënies/të nxënit dhe përmbajtjes në kurset e bazuara në teknologji në gjeoinformatikë të mbështetur në nevojat dhe përvojën e drejtuar nga biznesi është një nga qëllimet tjera të këtij projekti.

 

Në kuadër të punimeve të GEOBIZ, disa prej pjesëmarrësve kanë vizituar edhe Parkun Shkencor të UBT-së, laboratorin e ri të gjeinformatikës dhe pajisjet  tjera që janë blerë në kuadër të këtij projekti.