
Rektori Hajrizi prezanton ekosistemin inovativ UBT Smart City në EU Winter School
24/02/2025Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi ishte pjesë e EU Winter School, një program i organizuar nga EYCA Kosova, i cili synon të mbledhë ekspertë dhe profesionistë të rinj për të diskutuar mbi inovacionin, tërheqjen e investimeve dhe rritjen ekonomike.
Në ditën e parë të programit, e cila u fokusua në baza teorike mbi tërheqjen e investimeve, Rektori Hajrizi prezantoi temën: “UBT Smart City –a Place based Small-scale smart sustain entrepreneurial innovation ecosystem”.
Në prezantimin e tij, Prof. Dr. Hajrizi ndau përvojën e UBT-së në ndërtimin e një ekosistemi të zgjuar inovativ, që promovon zhvillimin e sipërmarrjes së qëndrueshme, integrimin e teknologjisë në jetën urbane dhe krijimin e një mjedisi ku studentët dhe profesionistët mund të eksperimentojnë me zgjidhje të avancuara për qytetet e së ardhmes.
Një element kyç i këtij ekosistemi është krijimi i një mjedisi interaktiv, ku studentët, profesionistët dhe sipërmarrësit kanë hapësirën dhe mjetet e duhura për të zhvilluar inovacione teknologjike, duke eksperimentuar dhe testuar në kushte reale ide që mund të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së jetës urbane.