Rektori Hajrizi ftohet në Samitin Botëror të Paqes në Korenë e Jugut
04/02/2022Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, është ftuar nga Federata e Paqes Universale, që të marrë pjesë në Samitin Botëror 2022, i cili këtë vit ka si temë gjetjen e mënyrave për të sjellë paqe në gadishullin Korean e ku pritet të ketë diskutime mbi çështjet më kritike të kohës sonë.
“Kemi kënaqësinë t’ju ftojmë të merrni pjesë si mysafir i nderuar në Samitin Botëror 2022. Federata e Paqes Universale dhe rrjeti i saj global i ambasadorëve për paqe punojnë në bashkëpunim me të gjithë sektorët e shoqërisë për të zgjidhur konfliktet”, thuhet në ftesën që kjo organizatë botërore i ka dërguar rektorit Hajrizi.
“Ekziston një ndërgjegjësim në rritje midis njerëzve në mbarë botën për nevojë urgjente për vizion inovativ dhe udhëheqje të guximshme nëse duam të zgjidhim çështjet kritike të kohës sonë. Duke pasur këtë në mendje, Samiti Botëror 2022 do të bashkojë liderët botërorë, përvoja individuale dhe kolektive e të cilëve, mençuria dhe mprehtësia janë thelbësore për ndërtimin e një bote me mirëkuptim të ndërsjellë, paqe të qëndrueshme dhe prosperitet për të gjithë“, thuhet në ftesën e nënshkruar nga kryeministri i Kamboxhias, Samdech Hun Sen, ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, drejtori gjeneral i Federatës së Paqes Universale, Yun Young-ho dhe kryesuesi i kësaj organizate, Thomas G. Walsh nga komiteti ekzekutiv i organizimit të Samit Global të Paqes.
Samiti Botëror 2022 bashkë organizohet nga Federata Universale e Paqes dhe Qeveria Mbretërore e Kamboxhias.
Gjatë samitit, përfaqësues nga 157 vende nga mbarë bota, duke përfshirë krerë shtetesh, ministra, parlamentarë, udhëheqës fetarë, personalitete të medias, drejtues të biznesit dhe nga sfera akademike do të eksplorojnë përspektivat për pajtimin paqësor të Gadishullit Korean dhe zgjidhje të konflikteve tjera në botë.
Samiti Botëror 2022 do të mbahet në Seul, Koreja e Jugut, nga 10 deri më 13 shkurt, përmes një formati të kombinuar me prezencë fizike dhe me pjesëmarrje virtuale për shkak të pandemisë Covid-19.