Rektori Hajrizi dhe UBT, rrëfim suksesi në tryezën “Investimi në atdhe: Storiet e suksesit të Diasporës”
21/05/2018I shkolluar jashtë vendit dhe me një të ardhme të ndritur në Austri, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, kthehet në Kosovë për të themeluar UBT-në, si institucionin që tash numëron mbi 10 000 studentë dhe rreth 700 persona të punësuar.
Ky është përshkrimi që Albinfo.ch, si organizator i tryezës “Investimi në atdhe: Storiet e suksesit të Diasporës”, e ka bërë gjatë prezantimit të kontributit dhe punës së rektorit të UBT-së, pas kthimit të tij në Kosovë.
I nderuar me vlerësimin e punës së tij, Hajrizi tha se nuk është penduar për investimin që ka bërë në atdhe dhe të njëjtën dashuri për vendlindjen po mundohet ta mbjellë në zemrën dhe mendjen e secilit student të UBT-së.
“Sa ma shumë që të zhvillohesh intelektualisht, aq më tepër të ngjallet ndjenja që dija jote është e nevojshme për vendin tënd, e kjo ka bërë që të jem aktiv dhe të kontribuoj për shtetin ku jam rritur dhe ku kam marrë bazën e shkollimit”, potencoi ai.
Megjithatë, Hajrizi tregoi se jo çdoherë qasja në arsim ishte kaq e lehtë për ata që ëndërronin të arrinin në jetë, andaj edhe i motivon studentët e të sotmes dhe të ardhmes, që ta shfrytëzojnë lirinë e tyre në edukim, për t’i dhënë krahë zhvillimit dhe përparimit të Kosovës.
“Një moment emocional është shumë i ndërlidhur me kohën kur në Kosovë kemi mësuar nëpër shtëpi private dhe ndjenja e privimit nga studimi i lirë, ka ndikuar në rritjen e dëshirës për të arritur si individ, por edhe e ka ngjallur tek ne ndjenjën e atdhedashurisë. E hapat tonë duhet t’i ndjekin edhe studentët tanë, që sot po arsimohen në liri”, u shpreh ai.
Së bashku me rektorin Hajrizi, përvojën e tyre e ndanë edhe dhjetëra personalitete të shquara të Diasporës, të cilët u kthyen nga shtete të ndryshme të botës, ku të ardhmen e kishin të premtuar, për të dhënë kontribut dhe për të hapur biznese të ndryshme në Kosovë, në të cilat sot janë të punësuar mijëra kosovarë.