Rektori Hajrizi dhe Christopher Hyland takuan kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti

30/05/2022

Bashkëpunëtori i afërt i ish-presidentit amerikan Bill Clinton, Christopher Hyland, së bashku me rektorin e UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, kanë zhvilluar një takim me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

 

Në këtë takim u fol rreth marrëdhënieve të veçanta miqësore midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe për kontributin e Christopher Hyland, në afirmimin e shqiptarëve dhe të çështjes së Kosovës ndër vite.

 

Rektori Hajrizi njoftoi kryeministrin Kurti me të arriturat e UBT-së në sferën e arsimit, për kapacitetet e larta të Parkut Shkencor Inovativ të UBT-së, dhe për mundësitë që ia ka ofruar studentëve ndër vite, duke u bërë ndër institucionet e para në vend që praktikon standardet e sistemeve arsimore evropiane.

 

Ndër të tjera në takim u diskutua edhe për rrafshin e zhvillimit ekonomik sidomos në aspektin e investimeve potenciale të investitorëve amerikanë në Kosovë dhe në atë të sigurisë, si dhe për sferën e arsimit dhe edukimit si ndër fushat më të ndjeshme të shoqërisë.

 

Në këtë takim, rektori Hajrizi, shprehu edhe njëherë gatishmërinë që institucioni që ai drejton të ndihmojë Qeverinë e Republikës së Kosovës, në kërkime dhe hulumtime shkencore për gjetje të reja që do të ndihmojnë në zhvillimin dhe përparimin e vendit, në fusha të ndryshme, me theks të veçantë në teknologji dhe inovacion, fusha këto ku UBT ka korrur sukses dhe ka ngritur lartë flamurin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.